VIDEO/ Goditi rojen 70-vjeçar të shkollës në Elbasan, prokuroria lëshon urdhër ndalimi për 40-vjeçarin Durim Koçi

Pas shqyrtimit të pamjeve filmike, prokuroria ka lëshuar një urdhërarrest për prindin që rrahu rojen e shkollës “Qamil Guranjaku”, në Elbasan.

Durim Koçi për motive të dobëta goditi me grushte në oborrin e shkollës, në prani të fëmijeve, 70 vjeçarin roje shkolle. 40 vjeçari akuzohet për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”.

40-vjeçari është kryetar i Partisë Socialiste në një prej njësive në Elbasan.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, më datë 16.02.2024, në bazë të materialit hetimor të ardhur nga Komisariati i Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimi penal nr.298, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, e kryer në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën të parashikuar nga neni 237/5 të K.Penal me person nën hetim D.K., i ditëlindjes 1984.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan, me datë 17.02.2024 nga Prokuroria Elbasan është nxjerrë urdhri përkatës, i cili i është ngarkuar për ekzekutimin e ndalimit shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Elbasan.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me policinë e shtetit”, njofton prokuroria.