Sveçla: Të gjithë të dyshuarit për sulmin e Banjskës janë futur në sistemin e INTERPOL-it

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten vonë se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhërarreste.

Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, tha Sveçla.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, shkroi Sveçla të premten në Facebook.

LEXONI EDHE KËTË:Çfarë pas fletarrestimit ndërkombëtar ndaj Radoiçiqit?

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë pak ditë pas sulmit, më 29 shtator, Sveçla pati thënë se autoritetet kosovare do ta kërkonin ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.

Atëkohë, Sveçla tha se hetimet kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në veri të Kosovës.

Më 7 dhjetor, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin, në lidhje me sulmin në Banjskë.

Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Nëntorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet e sulmit në Banjskë.

Serbia - të cilën Kosova e akuzoi për tentim aneksimin e veriut të Kosovës gjatë sulmit - e ka hedhur poshtë këtë dhe ka thënë se është duke bërë hetime të ndara rreth sulmit.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha në Beograd më 7 shkurt se hetimi për ngjarjet në Banjskë, është i një rëndësisë vendimtare.

“Është e rëndësishme dhe është e nevojshme për Serbinë që të vazhdojë të hetojë ngjarjet e 24 shtatorit, dhe kjo është e një rëndësie vendimtare”, tha Pistorius gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në fund të janarit, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha e se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për Banjskën, gjatë një takimi që kishte me të.

Ai tha se BE-ja pret që të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.

“Publiku evropian dhe shtetet anëtare të BE-së presin që të përfshirët të mbahen përgjegjës. Sa i përket hetimit, nuk jam unë personi i duhur për të folur se nuk ka hetim që udhëhiqhet nga BE-ja, por janë vendet individuale që kanë hetuar apo po e hetojnë. Ne po marrim të dhënat nga shtetet anëtare dhe partnerët evropianë”./ REL