Komandanti i trupave amerikane në Kosovë: Të gatshëm kundër dhunës, jemi të përgatitur ndaj çdo lloj situate
Komandanti i trupave paqeruajtëse amerikane në Kosovë tha se forcat e vendit të tij janë të pajisura dhe të gatshme për të parandaluar çdo dhunë në veriun e Kosovës.
Ushtarët amerikanë parkojnë kamionët e tyre të bardhë, që nuk janë të blinduar, afër kufirit me Serbinë dhe më pas ecin pranë hekurave metalike që deri vonë mbanin tabela që sinjalizonin vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se çelësi për këtë është dialogu paqësor. Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është që t’i bëjmë gjithmonë gjërat përmes një dialogu kundër çdo lloj dhune”, thotë Koloneli amerikan, Ross Walker.
“Ne vijmë këtu mjaft shpesh. Nuk mund të flas për ndonjë hollësi për atë që kemi, ose nuk kemi parë, por nëse vërejmë diçka, informacioni u kalohet organeve të rendit vendas”, thotë Togeri i ushtrisë amerikane në Kosovë, Mcveigh.
NATO është përforcuar në Kosovë me 1,000 trupa shtesë pas dhunës që shpërtheu shtatorin e kaluar, gjatë së cilës një polic u vra në një shkëmbim zjarri midis policisë së Kosovës dhe personave të armatosur që hynë nga Serbia.
Diplomatët perëndimorë dhe disa analistë paralajmërojnë se tensionet më të fundit rreth vendimit të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb mund të nxisin më tej tensionet në veri./ VOA
