FLETUSHKAT/ Policia e Kosovës ndalon dy të dyshuar në Mitrovicën e Veriut, një tjetër në kërkim
Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Mitrovicën e Veriut, për ngjarjen e 13 shkurtit ku u gjetën të shpërndara fletëpalosje me thirrje për rezistencë dhe nxitje të dhunës. Në kërkim një i tretë
Dy persona janë ndaluar në Mitrovicën e Veriut, si të dyshuar për shpërndarjen e fletushkave me thirrje për rezistencë dhe nxitje të dhunës.
Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, deklaroi se autoritetet e rendit janë në kërkim të një të dyshuari të tretë.
Ndërsa dy të ndaluarit janë të moshave 46 dhe 53 vjeç, por identiteti i tyre nuk është bërë i ditur.
“Kemi ushtruar kontroll në 4 lokacione të ndryshme dhe të dyshuarit do të merren në pyetje si përgjegjës për shpërndarjen e fletushkave”, shtoi Elshani.
Më 13 shkurt policia e Kosovës raportoi për fletushka të gjetura në hyrjet e ndërtesave dhe rrugët e Mitrovicës së veriut.
Të nënshkruara nga “Mbrojtja Popullore” ato përmbanin udhëzime për rezistencë ndaj policisë së Kosovës dhe ndër të tjera, thuhej se efektivët duhet të qëllohen, si edhe të ofendohen.
Në to jepeshin edhe instruksione si të bëhen koktej molotovi dhe mjete të tjera të ngjashme.
Dyshimet kryesore janë se ato u shpërndanë gjatë protestës që komunitetet serbe mbajtën të hënën, kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb.
Megjithatë, Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve në veri që të mos bien pre e provokimeve të tilla.
Sipas tyre kushdo që i ka bërë këto veprime ka pasur për synim të minojë paqen dhe të thellojë paqëndrueshmërinë në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme.
Kujtojmë se ditë më parë, në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, u shfaqën edhe disa grafite me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.



