Rreziku serb, Bedri Elezi: Fletushkat anti shtetit të Kosovës, sinjal për sigurinë gjatë protestave serbe për dinarin
Eksperti i Sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, në një lidhje live me studion e lajmeve në “Ora Neës” komentoi zhvillimet me fletushkat e shpërndara në veriun e Kosovës që i bëjnë thirrje pakicës serbe atje për rezistencë ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës.
“Në fakt ndodhi ajo që ne prisnim që të ndodhte pas vendimeve që ka ndërmarrë Banka Qendrore e Kosovës për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb, i cili qarkullon në mënyrë jo ligjore në territorin e vendit.
Kemi dhe reagime të ndryshme të organizatave dhe serbëve të mbështetura nga struktura sekrete ruse, tanimë kemi dhe fletushka ku i kërkohet qytetarëve të mos respektojnë policinë e Kosovës, të mos i përfillin urdhrat dhe rregullat, nga qytetarët serbë të cilët mund të kenë dhe përplasje këto ditë.
Deri më tani Policia e Kosovës po bën të gjitha lëvizjet e duhura në atë zonë, por ende nuk ka arritur të kapë ndonjë prej autorëve. Thjesht ka persona të dyshuar, por ende asnjë i akuzuar.
Por mund të themi se kjo është një sinjal që mund të kemi probleme të sigurisë, duke qenë se është paralajmëruar dhe një tjetër protestë në këto ditë”, u shpreh në analizën e tij, eksperti i Sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi.


