Fyente dhe poshtëronte personat me aftësi të kufizuara, lihet në paraburgim TikTok-eri shqiptar
Gjykata e Athinës ka lënë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve Tik Tok-erin shqiptar Florian Zani, ndaj të cilit rëndojnë tre akuza: “poshtërim”, “dhunë” dhe “shfrytëzim të personave të pambrojtur”.
Shqiptari u ndalua pasi në rrjete sociale, fyente dhe poshtëronte personat me aftësi të kufizuara. Kanë qenë organizatat në mbrojtje të këtyre grupimeve, të cilat e denoncuan pasi Zani në Tik Tok dhe Youtube, kryente veprime poshtëruese ndaj personave me aftësi ndryshe.
Ndërkohë avokatët e tij thanë se çdo gjë që Zani ka bërë, ka qenë në kuadër të shakasë dhe se ai mendonte se iu vinte në ndihmë njerëzve me aftësi ndryshe, në kohën që i nxirrte ata në video ose në transmetime live.
Sipas policisë greke, 35-vjeçari që nga janari i 2023, mbante një profil në një platformë të rrjeteve sociale, duke përdorur një pseudonim, në të cilin transmetonte drejtpërdrejt sjellje abuzive ndaj personave me probleme mendore, me qëllim përfitimin e tij financiar të paligjshëm nga klikimet.