Tajlanda liron ish-kryeministrin/ Ministri i Drejtësisë: Shinawatra është mbi 70 vjeç, ka sëmundje të rëndë kronike

Thaksin Shinawatra do të lirohet. Vendimin për ish-kryeministrin tajlandez e ka dhënë ministri i Drejtësisë atje, por për analistët lirimi i tij nga burgu, rifut një figurë të përçarëse në politikë në një kohë të tensionuar.

Ish-kryeministri i Tajlandës, Thaksin Shinawatra, pritet të lërë ambientet e paraburgimit pasi u miratua lirimi i tij me kusht.

Njoftimi sipas CNN mbulon një sagë të jashtëzakonshme politike prej dekadash që do të shohë kthimin e një prej figurave politike më të diskutueshme të Tajlandës në jetën e përditshme.

Thaksin, kreu i një dinastie të njohur politike dhe ish-pronar i klubit të futbollit të ligës së parë angleze, Manchester City, ishte kryeministër nga viti 2001-2006 derisa u rrëzua në një grusht shteti ushtarak.

Ai u kthye në Tajlandë nga një mërgim 15-vjeçar i vetë-imponuar më 22 gusht dhe u dënua me tetë vite burg për konflikt interesi, shpërdorim të pushtetit dhe korrupsion gjatë kohës së tij në pushtet.

Shumë shpejt u bë e qartë se figura e rikthyer politike nuk do të kalonte shumë kohë pas hekurave.

Pak më shumë se një javë më vonë, Mbreti i Tajlandës Maha Vajiralongkorn uli dënimin me burg të Thaksin nga tetë në një, pasi paraqiti një kërkesë për falje mbretërore.

Të martën, Ministri i Drejtësisë i Tajlandës TaWee Sodsong konfirmoi për CNN se Thaksin është një nga 930 të burgosurit të cilëve u është dhënë lirimi me kusht këtë muaj.

Thaksin, 74 vjeç, u kualifikua për lirim me kusht pasi ai bën pjesë në kategorinë e një të burgosuri të moshës mbi 70 vjeç dhe ka një sëmundje të rëndë kronike.

Pas dënimit të tij vitin e kaluar, Thaksin u transferua në një spital për shkak të shtrëngimit në gjoks, presionit të lartë të gjakut dhe niveleve të ulëta të oksigjenit.

Përveç kësaj, ai ka vuajtur tashmë më shumë se gjysmën e dënimit të tij”, tha ministri.

Gjatë gjithë kohës së tij në pushtet, politikat e tij ishin anatemë për elitat e pasura dhe konservatorët që e akuzuan atë si një populist të rrezikshëm dhe të korruptuar.