“Trump po ndjek frymën e Putinit”/ Komentet e kandidatit për President përfshijnë “të gjithë”

Fjalimet e Trump, jo pak herë kanë nxitur debat publik, por duhet se me sulmin politik ndaj NATO liderët e Aleancës dhe jo vetëm i janë vënë kundër. Ata i kanë quajtur komentet e tij me interes për presidentin rus Vladimir Putin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg është kundërpërgjigjur ndaj deklaratave të Donald Trump që tha se nuk do t'i përmbahej klauzolës së mbrojtjes kolektive nëse rizgjedhej.

Stoltenberg tha se komente të tilla i vënë ushtarët evropianë dhe amerikanë në një rrezik në rritje.

“Çdo sugjerim se aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin minon të gjithë sigurinë tonë, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i vë ushtarët amerikanë dhe evropianë në rrezik të shtuar. Unë pres që pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale, SHBA-ja do të mbetet një aleat i fortë dhe i përkushtuar i NATO-s”.

Kryediplomati theksoi gjithashtu se çdo sulm ndaj një vendi të NATO-s do të përballet me një përgjigje të bashkuar dhe të fuqishme. Stoltenberg, nuk ka qenë vetmi që ka dënuar komentet e Trump.

Kancelari gjerman Olaf Scholz i quajti ato mbështetje me interes për Rusinë duke shtuar se çdo relativizim i garancisë së ndihmës së NATO-s është i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm.

Të njëjtin mendim ndau Charles Michel, Presidenti i Këshillit Evropian në X duke thënë se: “Deklaratat e pamatura mbi sigurinë e NATO-s dhe solidaritetin e Art 5 i shërbejnë vetëm interesit të Putinit. Ato nuk sjellin më shumë siguri apo paqe në botë”.

Ndërsa shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se NATO nuk mund të jetë një aleancë ushtarake “a la carte” në varësi të humorit të presidentit të SHBA-së.

Disa politikanë evropianë paralajmëruan se kërcënimi i Trump duhet të merret seriozisht. Shtëpia e Bardhë i kritikoi të shtunën komentet e Trump si “të tmerrshme dhe të papranueshme”.

NATO tani është shumë e përfshirë në mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës pas pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022, i cili ka shkaktuar një krizë masive humanitare, dhe e ka zhytur Evropën në konfliktin e saj më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore.