Flet si pasardhësi i Klopp? Xabi Alonso: Jam në vendin e duhur
Xabi Alonso ka reaguar për herë të parë, në lidhje me lajmet që qarkullojnë se ai do të jetë trajneri i ri i Liverpool-it, pas largimit të Jurgen Klopp në fundin e këtij sezoni. Tekniku i Bayer Leverkusen u shpreh se momentalisht ndihet mirë në Gjermani.
Emri i tij përflitet gjerësisht si pasardhëri i Jurgen Klopp në krye të stolit të Liverpool, pasi trajneri gjerman njoftoi se në fundin e këtij sezoni do të largohet nga drejtimi i skuadrës.
Xabi Alonso është emri i parë në listë, për të marrë drejtimin e ‘të kuqve’, teksa pas tij përflitet italiani Roberto De Zerbi, që deri më tani ka surprizuar me Brighton.
Shtypi britanik ka nisur të flasë për trajneri e ri të skuadrës historike angleze, teksa Alonson e ka katapultuar menjëherë në ‘pole position’.
Spanjolli, një trajner modern që praktikon një futboll argëtues, po udhëheq Bayer Leverkusen drejt titullit të parë në histori në Gjermani, ndërsa me qindra mijëra fansa po adhurojnë stilin e tij të lojës që praktikon.
Ambientin në Liverpool, ai e njeh mjaft mirë, pasi 42-vjeçari më herët ka mbajtur veshur fanellën e kuqe, për pesë sezone, nga viti 2004 deri në vitin 2009.
Por ka qenë vetë tekniku i Leverkusen-it, ai që ka komentuar largimin e Klopp dhe ka folur edhe për të ardhmen e tij.
“Të jem i sinqertë, për momentin nuk duhet të mendoj për hapin tim të ardhshëm në karrierë. Unë mendoj për skuadrën ku jam për momentin. Jam në vendin e duhur. Kjo është gjithçka që mund të them në lidhje me këtë temë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe për momentin nuk më intereson.”
Ai komentoi edhe vendimin e Jurgen Klopp për t’u larguar këtë verë nga drejtimi i ‘The Reds’.
“U befasova, ishte një lajm surprizues. Respekti dhe admirimi im për të thjesht rriten gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve. Jo vetëm për atë që ka arritur me Liverpoolin, por edhe për mënyrën se si e ka bërë”, përfundoi Xabi Alonso.


