Kumbulla drejt largimit nga Roma/ Torino dhe Genoa shprehin interes për mbrojtësin shqiptar

Marash Kumbulla mund të largohet nga Roma në këtë merkato dimri, në formë huazimi, deri në fundin e sezonit. Mediet italiane raportojnë se Torino dhe Xhenoa kanë shprehur interes për mbrojtësin shqiptar.

Që prej transferimit të tij nga Verona drejt Romës, fati nuk ka qenë aspak me Marash Kumbullën. Djaloshi shqiptar ka pësuar 3 dëmtime të njëpasnjëshme me verdhekuqtë, që prej kur veshi fanellën e kësaj skuadre në sezonin 2021/2022. Tashmë mbrojtësi kuqezi po i lë pas dëmtimet dhe po riaftësohet, me synimin për të zbritur sa më shpejt në fushën e blertë.

Klubi kryeqytetas e sheh 23-vjeçarin si një aset të rëndësishëm të tij dhe kërkon që ai të kthehet në formën fantastike që kishte me veronezët, kur drejtuesit vendosën të investonin rreth 17 milionë euro, së bashku me bonuset, për të blerë kartonin e tij.

Por për të rigjetur edhe njëherë formën, Kumbulla duhet të ketë minuta në këmbët e tij.

Në mediet italiane qarkullon lajmi, se drejtuesit e ekipit po punojnë për huazimin e Marash Kumbullës, deri në fundin e sezonit aktual, në mënyrë që lojtari i Kombëtare shqiptare të aktivizohet dhe të marrë sa më shumë minuta. Për këtë motiv drejtuesit kanë menduar që ta huazojnë Kumbullën në një tjetër ekip ku mund të rikthehet në formën e vet më të mirë falë “statusit” prej titullari.

Destinacion mbetet Italia dhe Seria A. Sipas shtypit në vendin apenin, dy klube të Serisë A kanë shprehur interesim konkret për huazimin e mbrojtësit 23-vjeçar. Ato janë Torino edhe Genoa, të cilat  janë gati ta afrojnë lojtarin sipas kushteve të Romës, vetëm nëpërmjet formulës së huazimit për 6 muaj.

Ndërkohë, sipas prestigjiozes ‘Corriere dello Sport’ nuk përjashtohet mundësia e një rikthimi të tij te Verona.