Netanyahu, kundër qendrimit të presidentit Biden për një shtet të ardhshëm palestinez
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u duk të shtunën se doli kundër deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden për një shtet palestinez pas përfundimit të luftës kundër Hamasit në Gaza.
Zoti Biden tha të premten se kishte folur në një telefonatë me zotin Netanyahu për zgjidhjet e mundshme për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, duke sugjeruar se një alternativë mund të ishte një qeveri e çmilitarizuar.
“Në bisedën e tij me Presidentin Biden, kryeministri Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se pasi Hamasi të shkatërrohet, Izraeli duhet të ruajë kontrollin e sigurisë mbi Gazën për t’u siguruar që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin, gjë që bie ndesh me kërkesën për sovranitetin palestinez”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit.
E pyetur të sqarojë nëse zoti Netanyahu është kundër çdo lloj alternative për një shtet palestinez, zyra e tij nuk u përgjigj menjëherë.
Telefonata mes dy udhëheqësve ishte e para prej gati një muaji, tha Shtëpia e Bardhë.
I pyetur nëse një zgjidhje me dy shtete ishte “e pamundur” ndërsa kryeministri Netanyahu është në pushtet, presidenti Biden tha: “Jo, nuk është”.


