Izraelitët kundër kryeministrit! Netanjahu: Me mua në pushtet nuk do të ketë kurrë Palestinë
Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti të Palestinës. Këtë e konfirmoi vetë kryeministri Benjamin Netanjahu, duke pretenduar se kjo do të përbënte një sfidë ekzistenciale për shtetin hebre.
“Gaza duhet të çmilitarizohet dhe të vihet nën kontrollin e plotë të Izraelit. Nuk do të bëj kompromise me sigurinë. Këmbëngulja ime është ajo që ka penguar – me kalimin e viteve – krijimin e një shteti palestinez që do të përbënte një rrezik ekzistencial për Izraelin. Për sa kohë të jem kryeministër, do të vazhdoj të insistoj fuqishëm për këtë”, tha Benjamin Netanjahu, Kryeministër i Izraelit.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Netanjahu pritet që të përballet me një mocion votëbesimi në Knesset, parlamentin izraelit. Ai akuzohet nga disa deputetë se ka dështuar në lirimin e pengjeve të marrë nga Hamas në Gaza më 7 tetor. Lidhur me këtë, qindra protestues u mblodhën jashtë godinës së parlamentit për të protestuar.
“Dorëhiqu” ishte thirrja e tyre në kor, drejtuar kryeministrit. Gjithashtu familjarët e pengjeve kanë vendosur tenda jashtë rezidencës së kryeministrit dhe do të qëndrojnë aty deri në lirimin e të dashurve të tyre. Kundër Netanjahut ka reaguar dhe shefi I diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell. “Është e papranueshme të kundërshtosh zgjidhjen me dy shtete. Çfarë zgjidhjeje po ofron izraeli? Vrasja e të gjithë palestinezëve?”, tha Borrell.
Ndërkohë, Belgjika në emër të presidencës së Bashkimit Europian, njoftoi se po kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe fundin e dhunës në Bregun Perëndimor. Brukseli po shpreson që të mbajë një konferencë paqeje sa më shpejt. Ndërkohë, bilanci I viktimave në Gaza ka shkuar mbi 25 mijë e 200.
