Rezultat historik për Lara Colturin, për herë të parë në karrierë në top 10

Lara Colturi, skiatorja italiane që përfaqëson Shqipërinë, ka regjistruar rezultatin e saj më të mirë në garat e Kupës së Botës.

Në garën e sllallomit zhvilluar në pistën e Flachau, në Austri, ajo u klasifikua në vendin e 9-të.

Ky rezultat është më i miri për 17-vjeçaren, teksa për herë të parë në karrierë renditet brenda “top-10” skiatoreve më të mira në Kupën e Botës.

Rezultat ky që konfirmon formën e shkëlqyer të skiatores adoleshente, që po befason këtë sezon.

Në zbritjen e parë, Colturi regjistroi kohën 55”80, ndërsa në të dytën kronometri u ndal në kohën 56”04.

Me kohën e përgjithshme 1’51”84, Lara Colturi e mbylli garën e Flachau në vendin e nëntë.

Tashmë renditja brenda “top-20” po kthehet në një formalitet për skiatoren e lindur në Itali, por që ka pasaportë shqiptare e garon për ngjyrat kuqezi.

Ajo është në sezonin e saj të dytë në Kupën e Botës, por këtë vit ka bërë një hap të jashtëzakonshëm përpara.