PIOLI NUK LARGOHET NGA MILAN/ Krerët e “Djallit” nisin kontaktet me Konten

Përtej rezultateve të dobëta, Pioli do të vijojë të mbetet trajner i Milanit. Tekniku pritet të largohet në fundin e sezonit aktual. Ndërkohë, në Itali raportojnë se kanë nisur kontaktet e para mes drejtuesve të “Djallit” dhe Antonio Kontes.

Trajneri Stefano Pioli do të mbetet në krye të skuadrës së Milanit të paktën deri në përfundimin e sezonit aktual. Pavarësisht rezultateve zhgënjyese, drejtuesit e ‘djallit’ i kanë besuar drejtimin e skuadrës tekniku italian, të paktën deri në qershor, nëse sigurisht nuk ndodh ndonjë zhvillim i papritur brenda kampit kuqezi.

Vetëm nëse fiton kampionatin, 58-vjeçari do të mund të mbetet në drejtimin e kuqezinjve.

Aktualisht Milan ndodhet në vendin e tretë në Seria A, në kuotën e 39 pikëve, 9 më pak se Interi kryesues. Italianët janë eliminuar nga Champions League, që në fazën e grupeve, ku mbetën të tretët në grupin F.

Ndërsa së fundmi ata dolën jashtë edhe nga Kupa e Italisë, ku në çerek-finale të kompeticionit u mposhtën nga Atalanta. Përgjegjësia mbi këto rezultate bie kryesisht mbi Piolin, që jo në pak raste është kritikuar për mënyrën e menaxhimit të ekipit në fushën e blertë.

Ai mori drejtimin e Milanit në tetor të vitit 2019, teksa 2 sezone më parë fitoi edhe titullin kampion në Itali.

Ndërkohë, Milan po punon për gjetjen e pasuesit të Piolit, në krye të stolit kuqezi.

Në medie të ndryshme italiane qarkullon lajmi se kanë nisur kontaktet e para mes drejtuesve të “Djallit” dhe Antonio Contes.

Bëhet me dije se Conte është i lumtur për fillimin e dialogut mes palëve, ndërsa ai ka ripërsëritur seriozitetin e projektit, për të pranuar ofertën e Milan.

54-vjeçari Conte, me një eksperiencë të madhe si trajner, pasi më herët ka drejtuar skuadra si Tottenham, Inter, Chelsea, Juventus dhe Kombëtaren axurre, pëlqehet së tepërmi nga Zlatan Ibrahimoviç.