Nga Madridi “kërcënojnë” Mbappe: Real ka dhe opsionin Haaland

Reali i Madridit ka nisur të studiojë opsionin Erling Haaland, pasi nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë Kylian Mbappe, me parizienin që është mes dyshimeve të shumta.

Këtë bën të ditur madrilenia “AS”, historikisht pranë Realit me të përditëshmen spanjolle që shkruan se prioriteti i klubit “merengues” në vitet e fundit ka qenë ai për të bërë një blerje të madhe në sulm, me lojtarin e identifikuar që deri më tani ka qenë gjithmonë francezi.

Për Mbappe u bë një ofertë prej 200 milionë eurosh në javën e fundit të gushtit të 2021, dhe po ashtu u shpresua afrimi i tij gratis pasi i përfundonte kontrata e tij me PSG në 2022.

Haaland u transferua në verën e 2022 te City me Realin që nuk bëri ndonjë oponencë të madhe pasi kishte zgjedhur si objektiv Mbappe, por ky është një leksion që tani e kanë mësuar në zyrat e Valdebebas.

Mbappe e di se cilat janë kushtet e Realit për të veshur fanellën e bardhë, dhe me shumë mundësi janë më inferiore se ato të PSG në aspektin ekonomik, por në të njëjtën kohë Reali i ofron mundësinë për të luajtur në një skuadër që ju ofron lojtarëve të saj një dimension global, duke u bërë pjesë e një projekti që është provuar shumë ambicioz në Champions League, kompeticionit që përndjek Mbappe dhe që nuk e ka fituar kurrë me PSG.

Ai e di gjithashtu shumë mirë se Madridi pret një përgjigje të shpejtë, brenda 15 janarit, si afati kohor i fundit për të transmetuar dëshirën për të luajtur në Bernabeu duke nisur nga vera e ardhshme, edhe për ta materializuar këtë dëshirë në të shkruar, në një parakontratë.

Nga ana tjetër, “The Times” në Angli shkruan se Mbappe nuk ndihet i burgosur nga ultimatumi i Madridit për të firmosur që këtë në janar, dhe se francezi po konsideron edhe opsione të tjera për të ardhmen, dhe jo vetëm atë të klubit madrilen.

Më konkretisht e përditëshmja britanike citon klube të Premier League që mund të përfitojnë nga kjo situatë, duke vënë theksin te Liverpool.

Heshtja momentale e Mbappe, gjithmonë duke ju referuar “AS” luan kundër dëshirës së tij për të luajtur me Realin e Madridit, ku ndërkohë po rriten kuotat e Haaland.

Prioriteti në aspektin sportiv ka qenë gjithmonë Mbappe, por nëse francezi vazhdon lojën tërhiq e mos këput siç ndodhi në 2022, klubi madrilen po punon për Planin B, pasi ka mësuar se klauzola e Haaland nuk është aq e lartë sa mendohej dhe është më pranë 100 milionë eurove se 200 milionëshit.