U masakrua pasi kërkoi ndjesë te varri i Adem Jasharit, rasti i politikanit serb shkon në Komitetin e Torturës në OKB

Një aplikim urgjent është bërë pranë Komitetit Kundër Torturës së Kombeve të Bashkuara në lidhje me rrëmbimin dhe torturimin e pretenduar të politikanit të opozitës serbe, Nikola Saduloviç, pas vizitës së tij, në fillim të janarit, tek varri i një heroi lufte, shqiptar i Kosovës, në fillim të janarit, ndërsa BE-ja vijon të heshtë në lidhje me këtë çështje.

Padia u ngrit nga Michael Polak i “Justice Abroad” dhe avokati i Sanduloviç-it, Çedomir Stojkovic.

Në platformën “X”, Sanduloviç tha se kishte vizituar varrin e Adem Jasharit, themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra nga policia serbe në vitin 1998 së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij, përfshi gra dhe fëmijë. Sanduloviç i kërkoi falje familjes, vendosi kurora me lule dhe kërkoi ndjesë në emër të Serbisë.

Më 3 janar, familja e Sanduloviç raportoi se një furgon i zi u ndal para shtëpisë dhe se nga ai zbritën anëtarë të Agjencisë Serbe të Informacionit për Sigurinë (BIA) dhe morën Sanduloviçin, të cilin e çuan pranë zyrave të tyre. Dyshohet se pikërisht aty Sanduloviç u sulmua fizikisht në mënyrë brutale, “çfarë mori përmasat e torturës” nga një sërë individësh.

Pasi u soll në shtëpi me ambulancë, ai u dërgua në spitalin ushtarak të Beogradit. Ai kishte një brinjë të thyer dhe raportohet se njërën anë të trupit, përfshirë dorën, e kishte të paralizuar.

Më 4 janar, ai u ndalua, sërish, dhe po mbahet në burgun qendror të Beogradit, pa mundësinë të marrë trajtim të pavarur mjekësor. Protet që ai do të gjykohet për shkaktimin ose nxitjen e “urrejtjes ose intolerancës kombëtare, racore ose fetare midis popujve ose komuniteteve etnike që jetojnë në Serbi”.

Ekipi ligjor që e përfaqëson thotë se nuk ka gjasa që ai të ndiqet penalisht bazuar mbi këtë nen, pasi ai bie, haptazi, ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron lirinë e shprehjes.

Në një seancë gjyqësore mbajtur më 6 janar, avokati i Sanduloviç tha se vendosja e një luleje mbi varrin e një familjeje nuk mund të jetë vepër penale. Gjyqtarja Milica Grujiç u përgjigj: “Edhe unë po vendos një periudhë 30-ditore paraburgimi për Sanduloviçin, pikërisht sepse ai vendosi lule mbi varrin e një fëmije shqiptar”.

“Komitetit kundër Torturës i Kombeve të Bashkuara të kërkojë marrjen e masave urgjente dhe torturat ndaj z. Sanduloviç të ndalen; ai të dërgohet në spital civil për trajtim; të mblidhen prova dhe të fillojë hetimi mbi torturat ndaj tij; të mbrohet nga tortura të ardhshme; si dhe të tërhiqen akuzat e motivuara politikisht ngritur kundër z. Sanduloviç”, shkruhet në dokumentin e dorëzuar.

Anëtarja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, postoi në “X” se ishte thellësisht e shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e Sanduloviçit pas “raportimeve se ai ishte dhunuar brutalisht nga inteligjenca serbe”.
“Parregullsitë e shumta që u vunë re në zgjedhjet në Serbi u pritën në MB, SHBA dhe BE veçse me një shprehje minimale dhe kalimtare shqetësimi.”

Ish-shefi i inteligjencës Aleksander Vulin, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion dhe aktivitete destabilizuese, pranoi se kishte urdhëruar arrestimin e Sanduloviç, por nuk përmendi dhunën e ushtruar ndaj tij.
“Sandulovic u ndalua në bazë të urdhrit tim, i cili mbeti në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Ai u arrestua me dyshimin për cenim të rendit kushtetues dhe për mbështetjen aktive që ka dhënë për shkëputjen e të ashtuquajturës Kosovë”, tha ai për “Novosti”.

Ai shtoi se nëse Sanduloviç do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Himmlerit, Mossad do ta kishte vrarë atë. “Sanduloviç u ndalua vetëm me urdhërin tim dhe atë të prokurorit, pasi vendosi kurorë me lule mbi varrin e vrasësit të serbëve Adem Jashari. I kërkoj falje Serbisë që nuk munda të bëj më shumë”, shtoi ai.

Avokati i Sanduloviçit, Çedomir Stojkoviç, kundërshtoi deklaratën e Vulinit, me pretendimin se ai po merrte përsipër fajin e presidentit serb Aleksander Vuçiç.

“Kjo është një deklaratë e bërë me dakordësinë e Aleksandar Vuçiçit, sepse karriera politike e Vulin në Serbi ka përfunduar me aprovimin e Vuçiçit, dhe tani Vulin mund të marrë përgjegjësi (në mënyrë të rreme) për gjithçka që dëmton në nivel ndërkombëtar regjimin e Aleksandrit”, tha ai.

Vuçiç ende nuk i ka komentuar ende këto akuza ose ngarjen. Euractiv kontaktoi Komisionin Europian, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.