Arrestohen dy shtetas turq në Kosovë, ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe grabitje
Policia e Kosovës, konkretisht ILECU-FAST KOSOVA, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere, në dy raste të ndara sot ka arritur të arrestojë dy persona të kërkuar me urdhër arreste ndërkombëtare.
Njëri prej tyre është shtetasi turk 64 vjeçar me inicialet M.K., i cili rezultonte i kërkuar në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritet e Turqisë, për veprën penale “Trafikim me Narkotik”, i dënuar në Turqi me 22 vjet e 6 muaj burgim. Me urdhër të prokurorit kompetent të prokurorisë themelore në Gjilan, personi i kërkuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Edhe i arrestuari tjetër është shtetas turk 41-vjeçar me iniciale I.K., i kërkuar në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtarë po ashtu të lëshuar nga autoritet e Turqisë , për veprën penale “Grabitje”, i dënuar nga po ky shtet me 10 muaj burgim. Me urdhër të prokurorit kompetent të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, personi i kërkuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Bëhet e ditur se pas përfundimit të procedurave ligjore ku janë të përcaktuara edhe afatet kohore, personat në fjalë pritet të ekstradohen në Republikën e Turqisë.

