Hetimet e koncensionit të sterilizimit, Ilir Beqaj rikthehet në SPAK
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i shoqëruar nga avokati i tij Ermal Yzeiraj është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme.
Mësohet se Beqaj ndodhet në SPAK prej disa minutash, ndërsa është e paqartë vijueshmëria e hetimeve mbi koncesionin e sterilizimit.
Ilir Beqaj është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme për të tretën herë për çështjen e sterilizimit.
Burime pranë organit të Akuzës konfirmojnë se Beqaj është thirrur nga dy prokurorët e çështjes Edvin Kondili dhe Eneid Nakuçi si person nën hetim.
Pak ditë më parë Beqaj bëri thirrje ti dorëzonin kompjuterin e sekuestruar pasi aty, sipas tij, ka materialet e sterilizimit, si dhe t’i vinin në dispozicion auditet që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit në të cilët Prokuroria është bazuar për të ngritur akuzën ndaj tij dhe personave të tjerë, si ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni që ka fituar koncesionin Ilir Rrapaj.
Beqaj, gjithashtu, është person nën hetim për çështjen e chekapit dhe disa ditë më parë iu kontrollua banesa pasi ka dyshime se ka abuzuar edhe me fondet e SASPAC.



