EMRI/ Shkëputet nga makineria shufra e hekurit, dëmtohet në këmbë vëllai i ish-ministres Evis Kushi

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në ambientet e kompanisë “Kurum International” pranë ish-kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. 

Vëllai i ish-ministres së Arsimit, tashmë deputete e Partisë Socialiste, Evis Kushi, Mikel Caku mësohet se ka mbetur i plagosur pasi një shufër hekuri u shkëput nga makineria e prodhimit duke i dëmtuar këmbën.

58-vjeçari punonte si ekspert për sigurinë e zjarrit dhe incidenti u shënua në sektorin e Petëzimit.

Ndërkaq mësohet se 58-vjeçari fillimisht është dërguar në spitalin rajonal të Elbasanit, dhe më pas është transportuar në një spital të Tiranës për trajtim më të specializuar.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se në ambientet e "Kurum", shtetasi M. C., 58 vjeç, me detyrë ekspert për sigurinë e zjarrit, gjatë ekspertimit tek Sektori i Petëzimit, është dëmtuar aksidentalisht në këmbë nga një shufër hekuri e shkëputur nga makineria e prodhimit. 58-vjeçari është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”- njoftoi në mbrëmje policia.

Materialet procedurale për ngjarjen i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.