Ngjarja e rëndë në Durrës, Balla: Gjithçka për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një konferencë të zhvilluar në Tiranë ka komentuar ngjarjen e rëndë në Sukth Durrës, ku një 41-vjeçare varu veten pasi iu publikuan video denigruese në rrjetin social Tik Tok.

Ministri Balla gjatë fjalës së tij, tha se duhet krijuar një koalicion kombëtar për zgjidhjen e kësaj situate emergjente.

“Janë referuar në Prokurori 2168 raste për dhunë dhe krime të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. Pra të dashur miq, jemi në kushtet, do ta quaja unë, të një situate emergjente, e cila kërkon një adresim të menjëhershëm, dhe kjo nuk arrihet vetëm me forcën e ligjit”, u shpreh Balla.

“Kjo arrihet duke u bërë të gjithë bashkë, duke krijuar do ta quaja unë një koalicion kombëtar të të gjithë aktorëve, qofshin këto aktorë të institucioneve shtetërore, por dhe të shoqërisë civile, edhe të medias. Sepse duhet ta pranojmë, nuk flas për mediat tradicionale, por ka tani elementë të rinj të mediave dhe unë të paktën në këtë aspekt jam shumë i qartë për rolin shkatërrues të TikTokut, si shpërndarës i pa kontrolluar i dhunës dhe i dëmit që i krijon shoqërisë”, vijon Balla.

“Na duhet që numrin e lartë të viktimave të fillojmë ta trajtojmë, dhe këtu pastaj për mua ka një moment thelbësor, sa prej këtyre viktimave janë trajtuar dhe kanë marrë asistencë, mbështetje, mbrojtje dhe  kanë marrë trajtim.”, nënvizoi Balla.

Në rrjetet sociale Balla shkruan se “duhet të bëjmë gjithçka për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online, Askund! Kërko ndihmë në 116 117 Raporto në 129″, shkruan Balla.