"Vizita" e përjavshme/ Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK për "Sterilizimin"
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur si çdo të premte në ambientet e SPAK në respektim të masës së sigurisë "detyrim paraqitje" të caktuar nga Gjykata e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit.
Ish-ministri në dëshminë e dhënë më herët ka deklaruar se veprimtaria e tij është audituar nga Kontrolli i lartë i shtetit dhe nuk janë evidentuar shkelje. Masat e sigurisë për Beqajn u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë.
Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Beqaj: Unë e kam pranuar që në momentin që ka ndodhur qoftë kontrolli i banesës qoftë sekuestrimi i laptopit. Kam kërkuar që laptopin të paktën të ma japin pasi kam të gjitha materialet e sterilizimit që të mund të vazhdoj komunikimin me SPAK për çështjen e sterizilimit. Kërkoj nga drejtësia që të jetë korrekte me mua. Ka katër javë që kemi kërkuar të gjitha raportet e KLSH-së me të cilat është ndërtuar pretendimi i shkeljeve të ndryshme. Ermal Kurtulajn e njoh prej 15 vitesh. Që nga maji i 2022 ka punuar në një projekt që ndiqej edhe nga Saspaku. Lokali Gzona nga shkurti i 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare me familjen time, bashkëshortja ime është larguar para 4 vitesh dhe nga gjithë puna, ka marrë 1.5 milionë lekë të vjetra.
