Bien donacionet për OKB-në në 2023, Gjermania kontribuuesi i dytë më i madh
Kombet e Bashkuara morën më pak se 40% të donacioneve që i nevojiteshin për të trajtuar krizat e shumta humanitare në vitin 2023, ndërsa Gjermania u bë donatori më i madh pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shifra globale ishte dukshëm më e vogël se në çdo vit tjetër që nga viti 2016”, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Lista e donacioneve përfshin para për programe të ndryshme të ndihmës humanitare të koordinuara nga OCHA, secila prej të cilave siguroi fonde për disa organizata të OKB-së dhe organizata partnere.
“Është e mundur që kontributet individuale për vitin 2023 të vazhdojnë të merren edhe pas fillimit të vitit”, tha sot një zëdhënës.
Në total, organizatat e OKB-së kishin kërkuar 56,7 miliardë dollarë nëpërmjet OCHA për të ndihmuar në zbutjen e krizave në mbarë botën në vitin 2023. Por, vetëm 38,3% e kësaj ishte mbledhur deri në fund të 2023.
Në të gjitha vitet e tjera që nga viti 2016, janë dhuruar gjithmonë të paktën 50% e fondeve të kërkuara, ndërsa në vitin 2019 shifra ishte 64% dhe në 2022 ishte 58%.
Nevoja për donacione është rritur ndjeshëm me kalimin e viteve. Shuma e vlerësuar për vitin 2023 ishte pothuajse tre herë më e lartë se në vitin 2016.
Donatori më i madh i vitit 2023 për programet humanitare ndër-agjenci të OKB-së ishte SHBA-ja, që dhuroi 9,5 miliardë dollarë, pothuajse 44% e shumës totale.
Gjermania ishte pak përpara Komisionit Evropian, ku të dy zënë 9,5% të totalit të fondeve të dhuruara ndërsa Britania e Madhe dhuroi 3,4%.
