DENONCIMI: “ONE” po na vjedh. Më bllokuan shërbimin dhe u detyrova të paguaj “gabimin” e kompanisë. AKEP të marrë masa

Arroganca e kompanisë ONE dhe ndërprerja e sinjalit pa asnjë paralajmërim që është plotësisht në kundërshtim me ligjin, ka bërë që klienti i kësaj kompanie Azmer Duleviç t’i drejtohet Tv Ora News.

Në muajin mars 2023 abonenti i “One” ka  mbyllur një numër me kontratë dhe një muaj më pas ai është faturuar për numrin e mbyllur.

Pasi kontakton me operatoren e kësaj kompanie, siç shihet qartë nga kjo bisedë, ajo i kërkon ndjesë dhe e njofton se i është bërë zbritja.

8 muaj më pas praktikisht në dhjetor 2023, pa asnjë mesazh ose paralajmërim kompania “ONE” i bllokon numrat e biznesit klientit të saj, me pretendimin se është debitor pikërisht për këtë zbritje që ka bërë vetë kompania.

Azmer Duleviç, abonent i “ONE”: “Kam një kontratë me “ONE”, një ditë të bukur mua më mbyllen numrat e biznesit. Dhe kisha një numër, e hoqa atë numër, e kalova në numër normal dhe bëra një numër të ri. Komunikoj me agjenten, më kërkon ndjesë dhe më thotë “është bërë gabim, pa merak do ta zbresim”. Dhe faktikisht m’u zbrit nga fatura dhe vazhdoja pagesat çdo muaj normalisht. Para disa ditësh shikoj që numrat nuk ishin në shërbim. Ishin bllokuar numrat. Pra, unë u detyrova, pagova këtë diferencë të gabimit në mënyrë që të më rikthehej përsëri shërbimi. Në këto orë që unë mbeta pa shërbim mund të më kenë ikur klientë dhe është shkaktuar dëm financiar në biznesin tim. Kur kjo nuk është rasti i parë, kjo kompani edhe sa kohë do të vazhdojë t’i vjedhë qytetarët?! Në momentin që unë kërkoj shpjegim: “Pse?”, ti nuk më jep shpjegim. Dhe e dyta, kur unë të kërkoj kontakte të mëtejshme si ta zgjidh këtë problem për të mos paguar faturën. Ti si kompani më thua “nuk ta jap se nuk na lejojnë”. Aty vura re një arrogancë të tepruar për mendimin tim. Çfarë është kjo përgjigje: “nuk të jap kontaktet”? Ku do ankohem unë? Të vete te dyqani të zihem me shitësen?!”

Sipas qytetarit shpesh abonenët e “ONE” duhet të paguajnë paaftësinë e kompanisë. 

Azmer Duleviç, abonent i “ONE”: “Ka shumë qytetarë që nuk e mbyllin dot kontratën, pasi mbaron kontrata i duhet të presin dhe një muaj: “paguaj këtë muaj, se muajin tjetër...”, po më fal ç’faj kam unë?! Mbaroi kontrata. Pra, pse duhet të paguaj unë deri sa të bësh ti mbylljen për paaftësinë tënde?! Pra, pse duhet të paguaj unë për punonjësit e pakualifikuar që ka kompania?! Ç’më hyn në punë mua kjo si qytetar?! Kjo kompania “ONE” dhe të tjerat si kjo, i bëjnë këto gjëra në vende të tjera? Dyshoj se i bën në Hungari “ONE” këto gjëra, pra këtë tallje që bëhet me qytetarët shqiptarë”.   

Apeli shkon për AKEP-in që të marrë masa të menjëhershme, për t’i dhënë fund abuzimeve.

Azmer Duleviç, abonent i “ONE”: “Nuk marrim shërbim, por paguajmë fatura. I mbaron kontrata, vazhdon pagesa e kontratës. Pse? Sepse kërcënohen me gjyq nga “ONE”. Nëse unë  eprish kontratën nga “ONE”, unë kam penalitete. Po kur “ONE” nuk e zbaton kontratën? Si i bie tani? Duhet që këto kompani të gjobiten nëse nuk respektojnë kontratat me qytetarët”.

Në muajin nëntor AKEP ka gjobitur me 100 milionë lekë kompaninë “ONE”, ku midis shkeljeve të konstatuara ishte edhe ndërprerja e sinjalit të klientëve pa paralajmërim.

Sipas ligjit për komunikimet elektronike, neni 109 i tij parashikon se: “Nëse klienti i kompanisë nuk paguan detyrimet, kompania duhet ta njoftojë brenda 15 ditësh për detyrimet që  duhet të përmbushë dhe ta lajmërojë për masat kufizuese”.

Edhe pas këtij penaliteti kompania “ONE” përsëri i ndërpret  menjëherë shërbimin klientëve të saj pa asnjë lloj njoftimi.

Televizioni Ora News i është drejtuar me shkresë zyrtare AKEP-it duke e vënë në dijeni të problematikave të adresuara nga qytatarët ndaj kompanisë “ONE”.