Superliga kundër UEFA-s, futbolli pret me ankth vendimin e Gjykatës Europiane
21 dhjetori mund të shndërrohet në një datë të rëndësishme për të ardhmen e futbollit.
Në orën 9:30 të të enjtes pritet që Gjykata Europiane e Drejtësisë të japë vendimin për apelimin e bërë nga European Superleague Company.
Bëhet fjalë për kompaninë që themeloi Superligën Europiane dhe e lancoi projektin më 21 prill të 2021-shit, duke shokuar për pak orë botën e futbollit, por ndërhyrja e FIFA-s dhe UEFA-s ishte e fortë dhe shumë prej klubeve themeluese vendosën të tërhiqen.
Aktualisht pjesë e paktit kanë mbetur Barcelona, Real Madrid dhe Juventus, të cilat kanë ndjekur rrugët ligjore ndaj UEFA-s dhe kanë çuar çështjen në Gjykatën Europiane për Drejtësi, e cila do të thotë fjalën e saj mëngjesin e të enjtes.
Kjo e fundit mund të vendosë të mbajë statusin aktual, me FIFA-n dhe UEFA-n si të vetmet organizatore të kompeticioneve ndërkombëtare të futbollit, por mund të marrë edhe vendime që mund të tronditin jo pak sportin më popullor në botë.
Një nga ato është ajo që pretendojnë edhe klubet themeluese të Superligës, që UEFA të mos ketë monopol dhe që klubet të mund të organizojnë edhe turne të tjerë, pa iu hequr e drejta e pjesëmarrjes në kompeticionet e organizuara nga qeveria europiane e futbollit.
Çështja është shqyrtuar tashmë nga Gjykata Europiane për Drejtësi, e cila pritet vetëm të publikojë vendimin paraditen e të enjtes, për t’i dhënë zgjidhje çështjes më të debatuar në botën e futbollit.
