Interi eliminohet nga Kupa e Italisë, Bologna fiton në shtesë

Bologna është kualifikuar për në çerekfinalen e Kupës së Italisë, pasi eliminoi Interin.

Koha e rregullt përfundoi pa gola, ndërsa në shtesë ekipi i Mottas fitoi 2-1.

Në minutën e tetë, Asllani provoi të befasonte portierin Ravaglia, por ky i fundit grushtoi mjaft mirë topin.

Pas gjysmë ore lojë, zikaltërit e Inzaghit nuk finalizuan me gol një zbritje të bukur, goditja e Frattesit u ndal nga “gardiani”.

Interi filloi mirë pjesën e dytë dhe iu afrua shumë golit. Arnautovic, i gjendur brenda zonës, nuk shfrytëzon si duhet një top të ardhur nga Asllani.

Në minutën e 65-të, Corazza shkaktoi penallti pas një prekje me dorë, duke i “dhuruar” mundësinë e artë skuadrës nga Milano për të zhbllokuar ndeshjen.

Portieri i Bologna-s u shfaq sërish protagonist, Ravaglia kuptoi krahun dhe “hipnotizoi” Lautaro Martinez.

Sulmuesi Martinez gaboi nga 11-metra, shans i shpërdoruar.

Në shtesë Interi shënoi me Augusto, por Bologna përmbysi llogaritë me Beukema dhe Ndoye.