I hapet rruga zgjedhjeve në Kosovë, KQZ përcakton firmat që duhen plotësuar në tre komuna në veri

Komisioni qendror i zgjedhjeve në Kosovë ka bërë publike numrin e firmave që duhen plotësuar në tre komunat në veri të Kosovës për të arritur drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Kanë qenë kryetarët aktual të tyre që kanë nisur procedurat, kjo në zbatim edhe të marrëveshjes.

Në Kosovë i është hapur rrugë procedurave për zgjedhjet e parakohshme në komunat në veri të Kosovës. KQZ i ka kthyer përgjigje përfaqësuesve të Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut për numrin e firmave që do të plotësojnë zgjedhësve me qëllim shkarkimin e kryetarëve aktual dhe përgatitjes për zgjedhje të reja

“Së pari, nga verifikimet, KQZ përmes këtyre përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare, të cilët janë nga tre anëtarë për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse.

Së dyti, KQZ ka njoftuar kryesuesit e tri kuvendeve komunale, tri grupet nismëtare dhe MAPL-në edhe lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”.

Zëdhënësi i komisionit qendror të zgjedhjeve ka sqaruar edhe shifrat konkrete

“Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është: 13 441.

Nga ky numër, 2 689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë.

Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6 732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1 347.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18 199. Sipas përllogaritjeve, 3 640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”.

Për shkak të nisjes së detyrës së 4 kryetarëve të komunave në maj banorët që janë në shumicë serbe zhvilluan protesta të dhunshme.

Madje duke u pasuar me dëmtimin e rëndë të disa ushtarakëve të KFOR. Ndërkaq ndërkombëtarët kritikuan veprimin nga qeveria e kosocës duke e cilësuar të pakoordinuar.