Zgjedhjet në Serbi: 55.5 për qind e qytetarëve votuan deri në orën 19:00
Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë.
Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.
Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë - gjithsej 8.273.
Fillimisht do të numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale.
Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.
Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj - numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake.
Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.
Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.
Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.
Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.
Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.
Banorët serbë të Kosovës janë parë qysh në mëngjesin e së dielës duke u nisur për në Serbi, për të votuar për zgjedhjet atje.
Në orë e paradites, në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë - Merdare, Jarinje dhe Bërnjak - janë krijuar kolona të gjata.
Serbët e kanë bërë këtë rrugë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk është zhvilluar në Kosovë, në krahasim me vite më parë.
Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë - në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Komisioni Zgjedhor në Serbi, ka thënë se deri në orën 18:00 kanë votuar rreth 22.000 votues serbë nga Kosova, nga rreth 122.000 sa kanë pasur të drejtë.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.
Shqiptarët e Luginës kanë garuar këtë herë me dy lista.
Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar./REL
