Përgjakja e festës/ Çfarë tha i arrestuari dhe cili është i rrezikshmi që ende po kërkohet në Greqi
Nga operacion i policisë greke lidhur me përgjakjen e një feste që organizohej në një lokal në Gazi, është arrestuar Emiliano Jakupi, 33 vjeç, personi që dyshohet të ketë qenë në automjetin “Range Rover” bashkë me autorin e plagosjes se 3 të rinjve kretas në Gazi të Athinës dy ditë më parë.
Sipas informacioneve ekskluzive të një medieje greke, fjalët e para të 33-vjeçarit të arrestuar drejtuar policëve kanë qenë këto: “Ishte një sherr rruge. I dhashë një shuplakë, nuk e dija që tjetri do të qëllonte. Hymë në makinë dhe u larguam. Isha i trembur."
Personi tjetër me të është shpallur në kërkim për ngjarjen dhe konsiderohet me rrezikshmëri shumë të lartë, pasi ishte i shpallur që më parë në kërkim për vrasjen e 40-vjeçarit nga Delvina, Pëllumb Islamit, si edhe rezulton i lidhur me grupet shqiptare të trafikut të drogës në Itali.
I arrestuari Jakupi është me precedentë penalë për gjobvënie. Ai u arrestua mbrëmjen e së dielës dhe u gjet edhe makina e tyre “Range Rover” në zonën e Voria Proastia.
Policia greke tha se se Jakupi ka qenë pasagjeri në mjet dhe jo personi që ka qëlluar mbi të rinjtë.
Një video-dokument i ri nga ngjarja e përgjakshme e zbardhur më herët gjatë ditës së sotme nga ERT tregon xhipin e errët në të cilin udhëtonin dy autorët.
Siç bëhet e ditur, dy agresorët kanë qëlluar mbi të rinjtë pasi grupi ka reaguar kur janë lagur nga uji në rruga kur kaloi xhipi.
Njëri nga grupi bërtiti “Çfarë po bën?!». Ata zbritën, fillimisht u përfshinë në luftime trup më trup dhe brenda pak sekondash përleshja rezultoi me plagosjen e rëndë të njërit dhe plagosjen e dy të rinjve të tjerë grekë../SYRI


