FOTO/ Ma kapele rozë, tatuazhe dhe mjekër, ja si duket Lulzim Berisha i arrestuar në Spanjë

Kjo është fotoja e siguruar nga ora News të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimiet të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshëmri të lartë shoqërore Lulzim Berisha”, raportojnë uniformat blu.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë operacionet dhe bashkëpunimet e sukskeshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sant Joan”.

Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimiet të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshëmri të lartë shoqërore Lulzim Berisha.

Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle, për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

Arratisja e Lulzim Berishës

Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në dhjetor 2022, nën akuzën se bashkë me anëtarë të tjerë të bandës së Durrësit janë përgjegjës për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame, i cili u vra në një shpërthim me bombë në Tiranë në ashensorin e pallatit ku banonte në shkurt të vitit 2005, bashkë me Artan Arsin.

SPAK njoftoi në atë kohë se hetimi për vrasjen e Lamajt dhe Arsit ishin pezulluar shumë vite më parë dhe ishin rihapur në vitin 2020.

Në 2 dhjetor, gjykata ka vendosur masë sigurie arrest me burg për shtetasit Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe L. Reçi, të akuzuar për vrasjen e Lamajt dhe Arsit.

Por Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj nuk u vendosën në pranga pasi ishin arratisur nga vendi.

“Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre,” thuhej në njoftim.

Pyetur nga BIRN nëse ka pasur rrjedhje informacioni që i ka mundësuar Berishës dhe Dervishajt arratisjen para marrjes së masës së arrestit, drejtuesi i SPAK Arben Kraja i tha BIRN se “nuk ka asnjë rrjedhje informacioni” dhe se personat në fjalë kanë ikur nga Shqipëria para vendimit të gjykatës.

Krahas Berishës dhe Dervishajt, nën akuzë për vrasjen e Lamajt e Arsit janë vënë edhe Emiljano Shullazi e të tjerë. Shullazi është aktualisht nën gjykim për akuza krimesh të tjera.

Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016.  Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012. Plarent Dervishi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lartë.