Qyno nën presionin e SPAK-ut, Qori: Liria e gazetarëve varet nga sekretësia e burimeve të tyre
Në vitin 2017, bashkë me aktivistë të tjerë të ish-Organizatës Politike, kam marrë pjesë në protestën fund e krye paqësore të nisur nga banorët e ish-Parkut të Autobusëve të cilët donin të mbronin parkun përpara pallateve të tyre, për të cilin Bashkia e Tiranës, me firmën e Erion Veliajt, kishte dhënë leje ndërtimi. Së bashku me Bislimin, Enrikon dhe dy protestues të tjerë jemi marrë zvarrë nga policia në fund të asaj proteste. Deri këtu, asgjë e jashtëzakonshme.
Disa muaj më pas më thirrën në prokurori për t’u marrë në pyetje. Oficeri i Policisë Gjyqësore donte të vërtetonte nëse unë isha organizator apo thjesht pjesëmarrës i asaj proteste. Dua të kujtoj se në rastin më të keq, një shkelje e tillë përfundon me dënimin e “keqbërësit” me 10.000 lekë të reja gjobë. Gjithsesi OPGJ ishte tejet i motivuar që të vërtetonte fajësinë time të plotë. Prandaj më kërkoi t’i dorëzoja celularin në mënyrë që ai të kontrollonte mesazhet në të, për të vërtetuar nëse unë isha vërtet vetëm pjesëmarrës apo edhe organizator. Nëse unë nuk do të pranoja, atëherë akuzat ndaj meje do të rëndoheshin për pengim të hetimeve a diçka e ngjashme. Afërmendsh, refuzova me indinjatë.
Rreth një vit më vonë, një prej televizioneve kombëtare shfaqi një hulumtim në të cilin thuhej se pronarët e firmës së ndërtimit të pallateve tek ish-Parku i Autobusëve ishin njerëz të afërt të ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj. Çka më bëri të kuptoj edhe zellin e policëve për të na marrë zvarrë në fund të protestës paqësore, edhe zellin e nëpunësit të prokurorisë për të më kontrolluar telefonin. Nejse, ajo punë e pat me aq dhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfunduar gjyqi për akuzat e organizimit dhe pjesëmarrjes në protestë të paligjshme.
Mu kujtua kjo ngjarje tani që lexoj se SPAK-u ka mbajtur për orë të tëra nën presion gazetarin Elton Qyno për shkak se kërkon prej tij apo prej telefonit të tij emrat e bashkëpunëtorëve që, me sa duket, i kanë dhënë akses në informacione hetimore sekrete. Kur kujtoj presionin që për gati një orë tentonte të ushtronte mbi mua një nëpunës i Prokurorisë së Tiranës për një palo çështje, e imagjinoj se në çfarë presioni real ndihet gazetari përpara prokurorëve, të cilët ndryshe nga birboja i rastit tim, kanë edhe njëfarë autoriteti në opinionin publik. Liria e njëmendtë e medias varet nga liria e gazetarëve dhe liria e gazetarëve varet nga sekretësia e burimeve të tyre.
