Manja kërkon në Kongres "drejtësi" për 21 Janarin

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se, drejtësia për 21 janarin është provë themeli për të mbrojtur vlerat e civilizimit dhe të demokracisë në Shqipëri,

Në fjalën e tij në panelin Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit: Legjislacioni, Zbatueshmëria, Afrimi me BE, Inteligjenca Artificiale në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Manja tha se, ‘për çdo njeri të lirë në këtë vend drejtësia për 21 janarin është provë themeli për të mbrojtur vlerat e civilizimit dhe të demokracisë në Shqipëri.

“Për ne socialistët shqiptarë 21 janari është plagë dhimbje, por në këtë Kongres, ndryshe nga çdo herë tjetër, ndihemi paksa të lehtësuar në dhimbjen tonë, pasi vendimi i Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg më në fund i ka hapur rrugë drejtësisë”, u shpreh Manja.

“Vendimi i Gjyaktës Evropiane për të drejta të njeriut dëshmon më shumë se kurrë se drejtësia asnjëherë nuk e lë në harresë të drejtën. Çdo vendimmarrje e tillë, çdo shkëndijë për perspektivën e rivendosjes së të drejtave të shkelura më 21 janar, nga drejtësia e re sot na mbush me shpresë të gjithëve në këtë sallë, por dhe jashtë kësaj salle”, tha Manja.

Ai tha se tek drejtësia e ka zanafillën modernizimi i shtetit.

“Vetëm një shtet që garanton në praktikë standardet e drejtësisë për qytetarin mund të përparojë e të modernizohet. Me ardhjen në pushtet të PS-së në vitin 2013 ne u premtuam shqiptarëve një drejtësi krejtësisht të pavarur. Aspiratë e zhvilluar që nga koha kur kjo parti ishte në opozitë. Votën plebishitare të 2013-ës ne socialistët shqiptarë e farkëtuam përmes një përpjekje historike, kushtetues edhe ligjore për t’i dhënë Shqipërisë drejtësinë që nuk e kanë pasur që prej themelit të shtetit shqiptar në 1912-ën”, u shpreh Manja.

Ministri Manja theksoi se, tashmë drejtësia e re është e përbërë nga gjyqtarë e prokurorë që kanë kaluar në kontrollin e vetingut, në sajë të një procesi të monitoruar me shumë rigorozitet nga partnerët tanë ndërkombëtarë nëpërmjet Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”.

“Në këtë fazë që jemi sot reforma e kë përmbushur plotësisht misionin e saj dhe institucionet e reja të drejtësisë janë në fazën e konsolidimit dhe të efiçencës së tyre duke prodhuar rezultate të prekshme për çdo qytetar shqiptar”, theksoi Manja.

Por, shtoi ai, “sot u takon organeve të sistemit të drejtësisë të kujdesen që çdo qytetar shqiptar të marrë drejtësi me standarde dhe drejtësi me standarde është një drejtësi e themeluar mbi prova dhe fakte dhe që garanton respektimin maksimal të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari përmes një procesi të rregullt ligjor. Dhe këtë do të duhet ta bëjë drejtësia e re”.

“Sot në sajë të rezultateve të reformës në drejtësi Shqipëria është bërë një partner i besuar në luftën kundër krimit, pikërisht duke dëshmuar se epoka e pandëshkueshmërisë tashmë i përket një kohe tjetër. Shqipëria renditet sot pas Mbretërisë së Bashkuar Zvicrës dhe Norvegjisë, nga vendet jo anëtare të BE për numrin më të madh të skuadrave hetimore me Eurojust-in. Ky bashkëpunim i frytshëm me strukturat evropiane, edhe përpara aderimit në BE, është dëshmi e qartë se drejtësia e re prodhon rezultate dhe reputacioni i saj në Shqipëri e në botë po rritet dita ditës”, përfundoi Manja.