Rikthehen tensionet në Kryesinë e Kuvendit/ Opozita bllokon "Sigurinë", kundër marrëveshjes me Italinë. Naço mbyll mbledhjen
Janë rikthyer teksionet në Kryesinë e Kuvendit, aty opozita bllokoi punimet në Komisionin e Sigurisë.
Mbledhja e Komisionit të Sigurisë ishte njoftuar se do të zhvillohej fizikisht, dhe menjëherë në Kryesi janë paraqitur edhe deputetët opozitarë.
“Keni përgjegjësi. Po të ishit në pozita parimore, s’do të arrinim këtu. Reflektoni dhe kërkoni që të kthehet normalitet”, tha ddeputeti demokrat Edmond Spaho.
Mes debatesh ata depozituan edhe kërkesën për rrëzimin e marrëveshjes me Italinë për kampin e emigrantëve të paligjshëm.
Pas debateve dhe akuza për rikthimin në normalitet të Kuvendit, kryetari i Komisionit Nasip Naço vendosi mbylljen e mbledhjes së parashikuar në rendin e ditës.
Ndërkaq, paralelisht me zhvillimet në Komisionin e Sigurisë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga Gazment Bardhi, dorëzoi zyrtarisht sot në Gjykatën Kushtetuese një padi për rrëzimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët.
Në një dalje për mediat, Lindita Metaliaj deklaroi se kjo është një marrëveshje antiligjore.
“Dorëzuam padinë për këtë marrëveshje, pasi jemi në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Nuk mundet të vendosë për fatin e vendit tonë në shkelje të të drejtave të njeriut.
I jemi falënderues popullit italian, por kjo nuk ka të bëjë me ta. Ne do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse pajtohet apo jo kjo marrëveshje me Kushtetutën e Shqipërisë.”, tha Metaliaj.
Kjo është padia e dytë për sot që dorëzohet në Kushtetuese, pasi më herët këtë hap e njoftoi Partia Demokratike zyrtare, përmes deputetit Kreshnik Çollaku.



