Pas debateve në Kryesi, Berisha: Taulant Balla përfaqëson narkoshtetin në Komisionin e Sigurisë
Mbledhja e Komisionit të Sigurisë ishte njoftuar se do të zhvillohej fizikisht, dhe menjëherë në Kryesi janë paraqitur edhe deputetët opozitarë.
Pas debateve dhe akuza për rikthimin në normalitet të Kuvendit, kryetari i Komisionit Nasip Naço vendosi mbylljen e mbledhjes së parashikuar në rendin e ditës.
Në daljen e tij nga godina e Kryesisë së Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se sot Taulant Balla përfaqëson narkoshtetin në Komisionin e Sigurisë.
“U vendos të vazhdojë mosbindja civile me të gjithë varitetet e saj. Një pjesë e deputetëve janë tani në Komisionin e Sigurisë, ku njëri nga kriminelët më të rrezikshëm me kollare, të Shqipërisë deh rajonit, do referojë në emër të krimit dhe drogës dhe të lidhjeve të tij që ka.
Nuk ka përqeshje më të madhe për këtë komb se të vendoset në krye të sigurisë së vendit, një individ i akuzuar në sallat e gjyqit si njeri që ka porositur vrasje.
I cili ka shoqëruar narkotrafikantin, bosin Edmond Bego, 54 herë me ngarkesa droge nga Tirana jashtë vendit.
I cili ka shoqëruar Pëllumb Gjokën disa herë nga Tirana në Romë. Në fakt ka mbrojtur me pasaportën e tij diplomatike, transportin e drogës për klanet kriminale.
Përveç kësaj Balla është i njohur me lidhjet e tij me Bajrat, si një zar i tyre, ku në regjistrime ata shprehen se me të e kemi zgjidhur problemin e ligjit të lojërave të fatit.
Po ashtu me Rrajat, me bandën e Elbasanit, ku ky merret me tenderat që duhet të fitojë një nga banditët e Elbasanit. Pra, sot ky përfaqëson narkoshtetin në Komisionin e Sigurisë.
Nuk ka fatkeqësi si kjo për vendin dhe ne e denoncojmë”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.


