Elon Musk në një rrëfim ndryshe: Pse të mos bëj vetëvrasje...?
Themeluesi i Teslas, Elon Musk, ka zbuluar në një intervistë të re se ai kishte kaluar një krizë ekzistenciale në moshën 12-vjeçare, në të cilën ai mendoi t'i jepte fund jetës së tij.
Manjati i teknologjisë, i tha Aaron Ross Sorkin të "New York Times", të mërkurën, në Samitin e "DealBook 2023" se ai dikur mendonte: "A është e gjitha e kotë? Pse të mos bëj vetëvrasje? Pse ekzistoj?"
Musk tha se në atë kohë lexonte tekste fetare dhe në veçanti, libra të filozofisë gjermane, që e bënin atë “mjaft të dëshpëruar”, kështu që ai këshilloi që adoleshentët të mos i lexonin ato.
Sidoqoftë, kur mori në dorë “Udhëzuesin e autostopit për galaktikën” të Douglas Adams, ai kuptoi se gjetja e kuptimit të jetës nuk zvogëlohet në një përgjigje të thjeshtë, por më tepër se cilat pyetje duhet të bëjmë.
“Motivimi im atëherë ishte, mirë, jeta ime është me të vërtetë e fundme, por nëse mund të zgjerojmë shtrirjen dhe shkallën e ndërgjegjes, atëherë ne jemi më të aftë të kuptojmë se çfarë pyetjesh të bëjmë në lidhje me përgjigjen që është universi dhe ndoshta mund ta zbulojmë cili është kuptimi i jetës”, tha themeluesi i Tesla.
Musk gjithashtu i tha Sorkinit se mendja e tij "shpesh ndihet si një stuhi shumë e egër" sepse ai ka një "burim idesh" që kalon nëpër të gjatë gjithë kohës.
Kur u pyet nëse ishte një “stuhi e lumtur”, pronari i X ndaloi për një moment dhe u përgjigj: “Jo. Mendoj se në një farë mase kam lindur në këtë mënyrë, por kjo u përforcua nga një fëmijëri e vështirë, sinqerisht,” shtoi ai.
