Ç’do të ndodhte në Itali sikur një qytetar të manifestonte me portretet e Musolinit?
Ç’do të ndodhte në Gjermani sikur një qytetar të shëtiste në rrugët e Berlinit me fotografitë e Hitlerit?
Ç’do të ndodhte në çdo kryeqytet vendi demokratik sikur varrezat e heronjve të Kombit të mbusheshin me kryqin nazist o me benda e sopata e fashiste?
E padiskutueshme se e gjithë shoqëria civile, politika, rinia, elita e profesionistët me influencë në jetën e kombit do ishin bërë padia akuzuese ndaj shtetit që lejon një ngjarje të tillë e njëherësh palë mbrojtëse e mijëra viktimave që këto simbole e në emër të tyre u cuan në vdekje, persekutim, burgim.
Tirana gdhiu sot me këto fotografi, një dëshmi mizore e evokimit të diktaturës e harresës kombëtare ndaj dhimbjeve që kjo histori ka shkaktuar.
Derisa ylli komunist stampohet në kravata kryeministrore, ndërsa jep “leksione” globalizmi e “strategji” europeiste, e shallat e kuq valëviten në kuti picash me poza diktatorësh, fotot e diktatorit kanë premisa e justifikime të varen dhe në mes të sheshit.
Shumë prej manifestuesve që i mbajnë në duar kanë statusin veteran e marrin pensionin e luftës dhe pse llogaritja matematikore thotë se ai më i riu që mund të ketë qënë në luftë ka sot moshën 95-97 vjecare.
Kjo është Shqipëria e 2023-it ku si krimineli e hajduti nderohen me bekimin e qeverisë e me heshtjen hipokrite të elitës e shoqërisë civile.
29 nëntor 2023! - Poshtë diktatura komuniste!



