Masakra e Don Boskos, Prokuroria mbyll hetimet për mikun e Ervis Martinajt: Krijoi kushtet për vrasjen

Teksa po vuan një dënim të dhënë nga gjykata e Lezhës, Nikoll Sherrnikut i është komunikuar edhe një tjetër akuzë nga prokuroria e Tiranës.

Behet fjalë për masakrën e Don Boskos ku u plagosën 5 persona mes tyre dhe një e mitur si dhe humbi jetën banakierja Mimoza Paja. Hetuesit e kryeqytetit i kanë ngritur akuzën e “krijimit të kushteve për të kryer vrasje”.

Prokuroria thotë se Shërrniku ka udhëtuar nga Shqipëria drejt Gjermanisë ku në një servis në pronësi të një shtetasi nga Kosova mori targat, të cilat u përdoren në masakrën e Don Boskos.

Për herë të parë emri i tij është përmendur nga një shtetas Sirian që punon në atë servis.

Siriani, fillimisht i ka pohuar pronarit të tij shqiptar të Kosovës, se targën “REHX 112” dhe dy të tjera i kishte marrë në vitin 2020 Nikoll Shërrniku.

Këtë dëshmi punonjësi Sirian, ia ka konfirmuar edhe policisë Gjermane kur edhe u mor në pyetje. Sipas tij 3 targat ishin vendosur në një vend ku grumbullonin hekurishtet.

Sipas policisë ngjarja tek Dom Bosko e ndodhur 12 Mars të këtij viti ka për motive hakmarrjen të disa grupeve kriminale që veprojnë në vendin tonë dhe jashtë saj. Vetë i akuzuari ka mohuar akuzat kur ka deklaruar se nuk ka lidhje me sulmin me armë.