Koncesioni i sterizilimit/ Paraqitet në SPAK ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur sot në GJKKO, ku do të njihet me masën e sigurisë. Beqaj, i shoqëruar nga avokati i tij, Ermal Yzeiri, ka hyrë në ambientet e gjykatës së Posaçme. Beqajt iu komunikua masa ‘detyrim paraqitje’ ditën e shtunë në lidhje me çështjen e sterilizimit.

Beqaj, po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe për të gjykata e posaçme caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Ish-ministri, ndonëse ishte në dijeni të qendrës moderne të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion. Ai nuk bëri asnjë studim paraprak, për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit, do të ishte më e favorshme ekonomikisht.

Gjyqtari Erjon Bani në vendimin për caktimin e masës së sigurisë për Beqajn, sqaroi se ministri do të duhej të kishte konstatuan fryrjen e kostove, ndërsa janë kryer shkelje në procedurën e dhënies së koncesionit, për shkak se procedura e ndjekur për rastin në fjalë, nuk parashikohej nga ligji.