PD propozon dyfishimin të fondit për kompensimin e pronarëve dhe për zhvillimin e sportit dhe rinisë
Partia Demokratike e ka ngritur si shqetësim madhor buxhetin që ka sjellë qeveria në Parlament. Për këtë arsye deputetët e PD–së kanë hartuar 8 amendamente, të cilat janë depozituar zyrtarisht në Parlament.
Deputetja dhe nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri në amendamentin e propozuar kërkon dyfishimin e fondit të parashikuar për kompensimin e pronarëve.
Në një deklaratë për shtyp Pampuri tha se “ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet e akorduara nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve. Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve për vitin 2024 është 5000 milionë lekë, ndërkohë kërkoj që ky fond të shkojë në vlerën 10.000 milionë lekë për vitin 2024. Kjo do të ndihmojë që ky proces të mbyllet sa më parë por edhe kjo kategori të marrë atë çka i takon”, tha Pampuri.
Ndërsa deputetja Andia Ulliri, si përfaqësuese e rinisë në Kuvend, propozon rritje të investimi për programet mbështetëse për rininë që të mos ikin jashtë.
“Ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet që për zhvillimin e sportit dhe rinisë nga 576 milion lekë të shkojë në 1152 milion lekë”, tha Ulliri.
Deputetja Ulliri theksoi se “Partia Demokratike e ka ngritur si shqetësim madhor buxhetin e korrupsionit që ka sjellë qeveria në Parlament. Për këtë arsye deputetët e PD kanë hartuar 8 amendamente të cilat janë depozituar zyrtarisht në Parlament. Unë kam propozuar amendament me synim të 2-fishimin e fondeve që parashikohen për zhvillimin e sportit dhe rinisë. Në vitet e fundit largimi i rinisë është kthyer në një problem tepër shqetësues për Shqipërinë. Programet në mbështetje të rinisë dhe sportit duhet të finanohen githmonë e më tepër”.
