“FALEMINDERIT KOSOVË”/ Mediet rumune “flasin” shqip për ndeshjen Kosovë – Izrael

Fitorja e Dardanëve ndaj Izraelit, mbi të gjitha ka gëzuar më shumë rumunët, që tashmë thuajse e kanë prerë biletën për një Berlin. Mediet në Rumani kanë falenderuar në shqip Kosovën, që arritën të mposhnin izraelitët.

“Faleminderit Kosovë!”. Me këtë titull të shkruar në gjuhën shqipe e nis artikullin media rumune “amosnews.ro”, për fitoren që Kosova arriti ndaj Izraelit, në Prishtinë me rezultatin 1-0, në sfidën e vlefshme për eleminatoret e ‘Euro 2024’.

Dardanët arritën triumfin me golin e vetëm të duelit të shënuar nga Milot Rashica, duke iu shuar ëndrrat izraelitëve për një kualifikim në Kampionatin Europian.

“FALEMINDERIT KOSOVË”/ Mediet rumune “flasin” shqip

“Fitorja e kosovarëve sigurisht që na sjell dobi. Por, tani kemi ndeshjet tona, më 18 nëntor me Izraelin në Budapest dhe më 21 nëntor në Bukuresht ndaj Zvicrës. Këtu sigurisht që lojtarët tanë do të kenë më shumë mbështetje, por do të ishte mirë që të mos devijonim me brohoritje dhe pankarta raciste si herën e kaluar, që të mos ndëshkohemi më”, shkruan ndër të tjera sajti rumun.

Fitorja e Kosovës kundër Izraelit i shkoi përshtat rumunëve, pasi ata renditen në vendin e parë në grup me 16 pikë. Në vendin e dytë ndodhet Zvicra me 15 pikë, teksa Izraeli mbetet në vendin e tretë me 11 pikë, e Kosova në të katërtin me 10 pikë.

Kujtojmë që më herët, Kosova dhe Rumania kanë pasur përplasje dhe tensione mes njëra-tjetrës.

Në sfidën mes dy përfaqësuesve në Bukuresht, në stadiumin ‘National Arena’, tifozët rumunë shpalosën një banderolë skandaloze, me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’ nën ngjyrat e flamurit serb.

Gjithashtu thirrjet nacionaliste dhe fyese ndaj shtetit të Kosovës nuk munguan. Rreth ngjarjes së shëmtuar të ndodhur në Bukuresht, reagoi edhe Federata e Futbollit të Kosovës, e cila e dënoi ashpër këtë ngjarje. Teksa UEFA gjobiti Federatën Rumune të Futbollit me 52 mijë euro dhe i kyçi stadiumin për 1 ndeshje.