Shpërthimi në pikën e karburantit në Tiranë, arrestohet menaxheri. Shkeli rregullat mbi lëndët plasëse dhe djegëse

Agjentët e Komisariatit nr. 4 në Tiranë arrestuan menaxherin e subjektit të pikës së karburantit në rrugën “Bardhyl” në Tiranë, kur një ditë më parë gati sa nuk u kthye në tragjedi për shkak të shpërthimit në kohën që autoboti po shkarkonte benzinë.

Në pranga ka rënë Myrto Kadiu, nën akuzën se ka shkelur rregullat mbi lëndët plasëse dhe djegëse, ku për pasojë mbeti i dëmtuar vetë dhe shoferi i autobotit.

Policia dhe prokuroria janë në pritje të daljes së ekspertizës për të përcaktuar të plota shkaqet që çuan në shpërthim.

Dy punonjes u plagosen gjatë shpërthimit në një pikë karburanti në mes të Tiranës. Njeri nga punonjësit u dëmtua në përpjekje për të shmangur ngjarjen, ndërsa tymi mbuloi zonën për pak minuta.

Pasi ka ndodhur shpërthimi shoferi i autobotit Miklovan Çollaku ka tentuar që të ndalojë furnizimin e karburantit, por në momentin që ka tentuar që të heqë tubin e furnizimit nga pajisja, është dëmtuar në fytyrë dhe duar.

Pavarësisht se kishte marrë plagë, ai ka hipur në autobot për ta larguar nga karburanti për të shmangur një shpërthim më të madh që mund të shkaktonte tragjedi.

Për shkak të plagëve në duar nuk ka mundur ta largojë autobotin nga aty dhe si pasojë ka humbur drejtimin, duke e spostuar me një gomë në shkallët e dyqanit ngjitur. Fatmirësisht ka frenuar dhe në dyqan nuk raportohet për persona të lënduar.