Telashet për Russell Brand nuk kanë të sosur… Shtohen akuzat ndaj komedianit britanik

Telashet për komedianin britanik Russell Brand duket se nuk kanë të sosur…

Teksa është nën hetim për abuzime seksuale, ndaj tij është ngritur një padi për një tjetër përdhunim.

Aktori akuzohet se e ka kryer aktin gjatë xhirimeve për komedinë romantike “Arthur”, në korrik të vitit 2010, dhe paditësja është një aktore.

Vajza që kërkon t’i ruhet anonimati, shprehet se ka frikë se mund të futet “në listën e zezë në industrinë e filmave”.

Në dokumentin e dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Shtetit të Nju Jorkut, 48-vjeçari akuzohet se e ka ngacmuar seksualisht paraditen e 7 korrikut 2010 pranë sheshit të xhirime.

Disa orë më vonë, ai e ka ndjekur në tualet, ku ka kryer edhe sulmin seksual.

“Mbante era alkol dhe diku afër ishte një shishe vodka që ai kishte pirë”, citohet akuzuesja, duke shtuar se: “një anëtar i ekipit të prodhimit të filmit ruante derën nga jashtë”.

“Warner Bros Pictures” dhe kompanitë e tjera të përfshira në produksion përmenden, gjithashtu, si të pandehura.

Gruaja pretendon se si pasojë e abuzimit ajo vuan nga siklet ekstrem, turp dhe frikë, si dhe e ka të vështirë t’u besojë të tjerëve, duke kërkuar nga Brand dëmshpërblim të pa caktuar.

Më herët, 4 gra të tjera e kanë akuzuar aktorin për sulme seksuale në raportet e publikuara nga “Sunday Times”, “Times” dhe “Channel 4 Dispatches”, për të cilat policia britanike ka nisur hetimet, por kjo është hera e parë që ndaj tij është ngritur padi.

Ata pretenduan se komediani i kishte sulmuar seksualisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Los Anxhelos, gjatë një periudhe shtatëvjeçare, midis 2006 dhe 2013, kur ai mbante punë të profilit të lartë në “BBC Radio 2”, “Channel 4”, dhe si aktor i Hollivudit.

Megjithatë, Rusell Brand i ka mohuar akuzat, duke theksuar se marrëdhëniet e tij ishin absolutisht, gjithmonë konsensuale.