Çelet Java Kulturore Hungareze me ekspozitën e piktores Anna Kónya

Për të celebruar larminë dhe virtuozitetin e gërshetimeve të artit, historisë dhe kulturës shqiptare dhe asaj hungareze, “Java e Kulturës Hungareze 2023” vjen në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha anembanë Shqipërisë nga data 2-6 nëntor 2023.

Festivali u çel zyrtarisht, me një konferencë për media, në Muzeun Historik Kombëtar. Njëkohësisht u bë dhe prezantimi i ekspozitës së piktores të mirënjohur Anna Kónya, e cila vjen me një përzgjedhje të posaçme për këtë event.

Zëvendësambasadori hungarez Adam Lovassy u shpreh se ndihet krenar që ekspozita hapet për të treguar më shumë rreth kulturës së vendit të tij.

Adam Lovassy: “Faleminderit për udhëheqjen dhe përpjekjen e madhe që po bëni për urën kulturore mes Hungarisë dhe Shqipërisë. Ne kemi shumë trashëgimi të përbashkët. Këtë vit do të donim të fokusoheshim në diçka tjetër që do ta konsideroja si trashëgimi të përbashkët, sepse këtë vit kemi festimin e 200-vjetorit të poetit tonë kombëtar  Çandër Patrufi. Ne jemi shumë krenarë për të”.

Ekspozita, muzika tradicionale hungareze dhe eksperimentale që do të luhen prej një grupi të nisur prej hungarisë do të jenë pjesë e programit.

“Kaq shumë artisë dhe njerëz të arteve të ndryshme po prezantohemi këtë edicion”, u shprehën organizatorët.

Aktivitetet do të mbahen në Galerinë e Arteve “Kalo” ku është hapur ekspozita për poetin kombëtar “Sandor Petofi”, dhe në Teatrin e Operas dhe Baletit ku Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali do të performojnë repertor shqiptaro-hungarez.

Përveç Tiranës, aktivitetet e Javës Hungareze do të zhvillohen edhe në Vlorë, Pogradec dhe Korçë.

Ky festival promovon marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Vitin e kaluar, festivali kremtoi 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Këtë vit, ajo feston gjigantët kulturorë nga të dy kombet, duke thelluar lidhjet dhe lidhjet diplomatike mes njerëzve.

Festivali organizohet nga Festival Academy në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë, brenda kuadrit të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare” të promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës.