Këlliçi: Pronarët e inceneratorit fantazmë të Tiranës sigurojnë 41 milionë euro nga biznesi monopol i dherave
Anëtari i Kryesisë së grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u shpreh sot se, “i gjithë aparati i bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj, është vënë në shërbim të inceneratorit fantazmë të Tiranës, këtë herë përmes biznesit të dherave”.
“Një vit pas nënshkrimit të kontratës korruptive për inceneratorin e Tiranës, në datën 18 tetor 2018, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes katër palëve: Inceneratorit fantazmë, Policisë Bashkiake, Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike të Bashkisë Tiranë dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit”, tha ai në një deklaratë për mediet.
“Kjo marrëveshje, siç do ta zbërthejmë më poshtë, ka si synim vënien nën kontroll të ndërtuesve, favorizimin e miqve të kryetarit të Bashkisë, si dhe vënien e administratës së Bashkisë Tiranë në dispozicion të biznesit korruptiv të dherave”, tha Këlliçi.
“Vetëm përmes kësaj marrëveshjeje, pronarët e inceneratorit fantazmë të Tiranës, sigurojnë 41 milionë euro nga biznesi monopol i dherave, i cili nuk përfshihet si e ardhur në kontratën koncesionare, të dakordësuar dhe firmosur në mars të vitit 2018 nga vetë Erion Veliaj”, theksoi ai.
“E para, si ka mundësi që Taulant Tusha figuron si institucion më vete, me të drejtën për të lidhur marrëveshje në emër të bashkisë, në shërbim të inceneratorit fantazëm? A mund ta kuptojë njeri, se si një drejtori në organigramën e Bashkisë Tiranë, mundet të lidhë marrëveshje si entitet më vete? Çfarë tagri special ka Taulant Tusha në këtë rast? Apo kjo ka qenë marrëveshja e heshtur, në të cilën duket qartë se burgun e Veliajt, e ka pranuar me dëshirë ky drejtor, që ditën që firmosi miratimin e koncesionit në shkelje të ligjit”, u shpreh Këlliçi.
E dyta, shtoi ai, “i ka mundësi që Inspektoriati i Mjedisit, që ka për detyrë të kontrollojë dhe monitorojë aktivitetin e Inceneratorit të Tiranës, vihet në shërbim të tij?”.
“Marrëveshja ka patur si qëllim vënien e enteve shtetërore kontrolluese në shërbim dhe dispozicion të bandës së inceneratorëve. Siç do ta dëshmojmë më poshtë, një fuqi të tillë e ka vetëm kryebashkiaku i Tiranës. Që ta kuptojmë më qartë se si ka funksionuar ky grup i strukturuar kriminal, po bëjmë publike edhe dy komunikime elektronike. Në datën 18 qershor 2018, në një komunikim mes punonjësve të inceneratorit dhe bashkisë Tiranë, kompania Arlis Ndërtim, e cila u lejua nga policia Bashkiake të ndërtojë 7 kate pa leje në qendër të Tiranës, në Sheshin Skënderbej, do t’i shmanget pagesës për depozitimin e dherave, meqenëse kjo kompani do të ndërtonte zyra në favor të Bashkisë Tiranë, të cilat ende nuk i ka parë askush”, tha Këlliçi.
Këlliçi nënvizoi se dokumentet autentike dhe shumë dokumente të tjera do t’i përcillen sërish zyrtarisht Altin Dumanit, drejtuesit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
