Lajm i mirë nga infermieria, Milanit i shtohen "muskujt" përpara Udineses
Lajme të mira nga infermieria për Milanin, skuadër që është përballur me shumë dëmtime lojtarësh në periudhën e fundit.
Ruben Loftus-Cheek ka lënë pas problemet fizike dhe është gati për sfidën e fundjavës përballë Udineses.
Mesfushori anglez braktisi fushën në pjesën e parë të Milan-Lazio (30 shtator). Mungesa e tij ka ndikuar te kuqezinjtë e Stefano Piolit.
Gjithsesi, shtypi italian shkruan se 27-vjeçari nuk ndjen më dhimbje, dhe është në dispozicion të trajnerit për takimin shtëpiak përballë friulanëve.
Ndërkohë, edhe Christian Pulisic do të jetë gati për sfidën me bardhezinjtë, të cilën Milani duhet ta fitojë me çdo kusht për të mos humbur edhe më shumë terren me kreun.
Simon Kjaer dhe Samuel Chukwueze pritet të jenë të gatshëm për “finalen” e Championsit ndaj PSG-së (7 nëntor), me mbrojtësin danez që do të grumbullohet edhe për Udinesen.
Prapavija është reparti më problematik për skuadrën e Piolit, repart ku Milani ka humbur shërbimet e dyshes Kalulu-Pellegrino gjatë takimit me Napolin në “Diego Maradona”.
