Reformimi i sektorit të energjisë elektrike, KfW dhe AFD hua prej 100 milionë eurosh

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi marrëveshjet me Agjencinë Franceze Për Zhvillim (AFD) dhe KfW për financimin me 100 milionë euro të fazës së dytë të projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri, faza II”.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj e pranishme në komision bëri të ditur se marrëveshjet synojnë përmirësimin e sektorit energjetik të Shqipërisë, nëpërmjet reformës që shtrihet në drejtime të shumëfishta: strukturore, operacionale dhe financiare.

Projektligji është vazhdimi i angazhimit të qeverisë shqiptare për të finalizuar reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri, duke monitoruar zbatimin e reformës së politikave, sipas plotësimit të elementeve (PRE) të përcaktuara në udhërrëfyesin e reformës së sektorit të energjisë.

Relatorja e marrëveshjeve, deputetja Antoneta Dhima bëri të ditur se plani strategjik i miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2018, paraqet një reformë të gjerë për sektorin e energjisë, ku shqyrton dhe zbaton angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me procesin e anëtarësimit në Komunitetin e Energjisë dhe në Bashkimin Evropian.

Përmbushja e Planit Strategjik për Reformimin e Sektorit të Energjisë në Shqipëri ka për qëllim të përdoret si një mjet për të krijuar një rrugë të qartë për reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri.

Realizimi i tij shërben si një instrument për mundësimin e huave të bazuara në politikat e reformës (PBL) në mbështetje të buxhetit të shtetit me një total prej 250 milionë eurosh, e ndarë midis dy institucioneve financiare, AFD 100 milionë euro dhe KfW 150 milionë euro sipas memorandumit të mirëkuptimit të datës 14.12.2018, për huatë për politikat e reformës (PBL).

Ky financim parashikohej të realizohej në dy faza. Në fazën e parë, një financim prej 150 milionë eurosh i ndarë: 100 milionë euro nga KfW -ja dhe 50 milionë euro nga AFD-ja, dhe në fazën e dytë 100 milionë euro, 50 milionë euro KfW-ja dhe 50 milionë euro AFD-ja.

Huatë e bazuara në politikat e reformës (PBL) janë një mjet në të cilin fondet nga një institucion financiar ndërkombëtar i japin hua buxhetit të shtetit shqiptar, në bazë të zbatimit të reformave specifike të politikave të renditura në këtë plan strategjik (PRE)./ATSH/