Matthew Perry ndërroi jetë pak ditë më parë, reagojnë miqtë e tij të "Friends"

Dy ditë pas vdekjes së papritur të Matthew Perry, kolegët e tij të serialit "Friends", Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc and David Schëimmer, kanë dhënë një deklaratë të përbashkët lidhur me dhimbjen që po përjetojnë.

"Ne jemi të gjithë shumë të shkatërruar nga humbja e Matthew. Ne ishim më shumë se thjesht shokë të kastit të filmit. Ne jemi një familje. Ka kaq shumë për të thënë, por tani do të marrim një moment për të kaluar dhimbjen dhe për të përpunuar këtë humbje të pakuptueshme.

Me kalimin e kohës do të themi më shumë, si dhe kur të kemi mundësi. Për momentin, mendimet dhe dashuria jonë janë me familjen e Matty, miqtë e tij dhe të gjithë ata që e donin atë në mbarë botën,” thuhet në deklaratën e tyre.

Kujtojmë se për 10 vite, Perry luajti rolin e Chandler Bing në serialin "Friends" dhe falë performancës së tij komike, ai u nominua për çmimin "Emmy 2002".

Krijuesit e serialit, Marta Kauffman dhe David Crane kanë dhënë gjithashtu një deklaratë të përbashkët së bashku me producentin ekzekutiv, Kevin Bright, ditën e dielë.

"Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar për vdekjen e mikut tonë të dashur Matthew. Duket ende e pamundur. Gjithçka që mund të themi është se ndihemi të bekuar që e kemi pasur atë si pjesë të jetës sonë. Ai ishte një talent i shkëlqyer,” shkruan ata.

Lidhur me performancën e parë të Perry-t, ata theksuan:

"Është një klishe të thuash që një aktor e bën një rol të tijin, por në rastin e Matthew, nuk ka fjalë më të vërteta. Që nga dita kur e dëgjuam për herë të parë të mishëronte rolin e Chandler Bing, nuk kishte njeri tjetër për ne.

"Ne gjithmonë do ta vlerësojmë gëzimin, dritën, inteligjencën verbuese që ai solli në çdo moment, ​​jo vetëm në punën e tij, por edhe në jetë. Ai ishte gjithmonë personi më qesharak në dhomë. Më shumë se kaq, ai ishte më i ëmbli, me një zemër të mirë dhe vetëmohuese."

Deklarata përfshinte gjithashtu ngushëllime për të gjithë ata që po përjetojnë humbjen e Perry-t.

Mediet vendase kanë raportuar se aktori është gjetur pa ndjenja në shtëpinë e tij, ditën e shtunë, në Los Anxheles, në orën 16:00 pasi asistenti i tij ka njoftuar ambulancën, pasi dyshohej për një arresti kardiak.

Ata kanë shtuar gjithashtu se aktori është gjendur brenda xhakuzit, pa shenja jete, ndërkohë që nuk janë gjetur gjurmë të përdorimit të drogërave në skenën e ngjarjes.