Lule në shtëpinë e ‘Friends’, fansat e Matthew Perry të dëshpëruar për humbjen
Fansat e Matthew Perry kanë vendosur lule në ndërtesën ku ndodhet apartamenti i protagonistëve të serialit “Friends”, në Nju Jork. Rezidenca në Manhatan u përdor nga Çendler, Monika, Xhoi, Rejçëll, Ross dhe Febe gjatë shfaqjes televizive.
“Ai ishte një person kaq zemërmirë e i sjellshëm. Kushdo që ndizte televizorin dhe e shihte ndihej menjëherë më mirë”, thotë një grua.
Figura të televizionit dhe botës së artit janë përpjekur të qetësojnë adhuruesit e aktorit, nisur nga deklaratat e bëra nga vetë Perry në librin e tij.
“Fansat mund të ngushëllohen duke ditur se përgjatë vitit të fundit ai ndihej i qetë. Libri i tij doli një vit më parë dhe vetë ai në të gjitha intervistat thoshte se ndihej mirë me jetën e tij dhe se kishte arritur të vinte nën kontroll problemet”, shprehet Emily Longeretta, regjisore televizive.
Matthew Perry u gjet pa shenja jete të shtunën, në vaskën e apartamentit të tij. Shkaqet e vdekjes janë ende të panjohura.
