AP miraton rezolutën për armëpushim humanitar në Gaza, SHBA kundër pasi nuk përmendet Hamasi

 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë jodetyruese që kërkon një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm humanitar në Gaza.

Dokumenti i udhëhequr nga Jordania u hodh në votim në një seancë urgjente për të diskutuar luftën gati trejavore midis Izraelit dhe Hamasit, e cila filloi pas një sulmi në shkallë të gjerë ndaj civilëve izraelitë nga militantët e Hamasit më 7 tetor.

Rezoluta kërkonte një shumicë prej dy të tretash në organizmin botëror prej 193 anëtarësh për të kaluar.

Në fund, 120 vende votuan pro dhe 14 kundër, me 45 abstenime.

Ndërsa përfaqësuesit e Egjiptit dhe Katarit folën në favor të rezolutës, SHBA qëndroi me vendosmëri kundër.

Të tjerë, si Gjermania, Kanadaja dhe Britania e Madhe, zgjodhën të abstenojnë.

”Rezoluta nuk e përmend Hamasin me emër, as nuk përmend pengjet e marra nga militantët”, vuri në dukje ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield.

“Këto janë lëshime të së keqes, ato mbulojnë dhe fuqizojnë brutalitetin e Hamasit dhe asnjë shtet anëtar nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë”, tha ajo në debatin maratonë, i cili filloi të enjten.

Austria, Kroacia dhe Republika Çeke ishin mes atyre që iu bashkuan SHBA-së në votën kundër.

Kanadaja u përpoq të shtonte një amendament në rezolutën që dënonte “sulmet terroriste të Hamasit” dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Megjithatë, ky amendament nuk mori votat e nevojshme.

Rezoluta e miratuar bën thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm, të qëndrueshëm dhe të qëndrueshëm humanitar që çon në një ndërprerje të armiqësive” dhe kërkon “sigurimin e papenguar të mallrave dhe shërbimeve thelbësore” në Gaza.

”Palët duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar”, thotë ajo, “veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve dhe objekteve civile.”

Rezoluta nuk përmend as Hamasin dhe as pengjet.

Në vend të kësaj, ajo thotë se “të gjithë civilët që mbahen në robëri ilegalisht” duhet të lirohen.

Ndërsa rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk kanë peshë ligjore, ato shihen si të kenë rëndësi simbolike.

Hamasi e mirëpriti rezolutën dhe i bëri thirrje Asamblesë së Përgjithshme dhe organeve përkatëse ndërkombëtare që të zbatojnë menjëherë rezolutën.

“Ne, në Lëvizjen e Rezistencës Islamike (Hamas), mirëpresim rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, të përhershëm dhe të vazhdueshëm humanitar që çon në përfundimin e agresionit kundër popullit tonë në Rripin e Gazës”, tha Hamas.

Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen hodhi poshtë thirrjen për një armëpushim.

“Ne e refuzojmë drejtpërdrejt thirrjen e neveritshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një armëpushim,” tha Cohen në X, i njohur më parë si Twitter.

“Izraeli synon të eliminojë Hamasin ashtu siç u përball bota me nazistët dhe ISIS-in”, tha ai.

Debati filloi të enjten me fjalimet e përfaqësuesve diplomatikë të Izraelit dhe palestinezëve.

Gilad Erdan, ambasadori i Izraelit në OKB, hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim, duke thënë se kjo “do të thotë t’i jepet Hamasit kohë për t’u riarmatosur, në mënyrë që ata të mund të na masakrojnë përsëri”.

Erdan tha në X se OKB “nuk ka më as edhe një ons (e barabartë me 28 gramë – shën. i përkth.) legjitimiteti apo rëndësie”.

“Votoni për të ndaluar vrasjen, votoni për të ndaluar këtë çmenduri”, tha diplomati palestinez Riyad Mansour, sipas një transkripti të OKB-së.