Kukësi thyen Vllazninë me 10 lojtarë, verilindorët ngjiten në vendin e katërt
Kukësi bën bis fitoresh në shtëpi. Pasi mposhtën 1-0 Laçin një javë më parë, verilindorët triumfuan po 1-0 edhe ndaj Vllaznisë në “Kukës Arena”.
Tri pikë me shumë vlerë për të besuarit e Stavri Nicës, që katapultohen provizorisht në vendin e katërt. Ndërsa në anën tjetër tronditet skuadra shkodrane, duke lëkundur fort edhe pozitat e trajnerit Memelli.
Pjesa e parë ishte shumë e luftuar, me ndërhyrje të gabuara nga futbollistët e të dyja kaheve dhe këtë e vërtetojnë 6 kartonët që u dhanë 3 të verdhë për miqtë dhe 2 dy të verdhë e 1 të kuq për vendasit.
Kukësi mbeti me 10 lojtarë në minutën e 44-t pas një ndërhyrje të ashpër të Reçit në dëm të Çeshmedijev.
Fillimisht u dha karton i verdhë, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari dha karon të kuq. Gjithsesi, pjesa e parë nuk prodhoi gola.
Ndikuar jo pak edhe nga terreni, kartonët vijuan edhe në pjesën e dytë. Vllaznia, duke përfituar edhe nga epërsia numerike, ishte më kërkuese, por mungonin gjuajtjet në drejtim të portës.
Kur pritej nga momenti në moment goli i Vllaznisë, Kukësi me kundërzbritjen e parë shënon me Rashitin, që nuk fal me kokë pas një krosi nga e djathta.
Miqtë u përpoqën të reagojnë, por vendasit e mbrojtën shumë mirë këtë avantazh dhe sigurojnë tri pikë me aromë mbijetese.
