Plas te Milani pas humbjes në Champions. Kapiteni i kritikon të gjithë, Pioli i “tërheq veshin” publikisht

Milani nuk po kalon një situatë të qetë dhe humbja në Ligën e Kampioneve përballë PSG-së ka bërë që të shpërthejnë publikisht pakënaqësitë në radhët e kuqezinjve.

I pari që u shfaq para mediave ishte kapiteni i skuadrës, Davide Kalabria, i cili sulmoi rëndë shokët e skuadrës.

“Kush nuk e beson, më mirë të qëndrojë në shtëpi”, ishin fjalët e tij pas sfidës. Fraza të cilat u interpretuan si kritika ndaj disa futbollistëve që ishin në hije përballë PSG-së dhe nuk u shfaqën në lartësinë e kërkuar në këto nivele.

Por këto fjalë, nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerin Stefano Pioli. I ngacmuar për deklaratën e Kalabrias, ai iu kundërpërgjigj menjëherë kapitenit teksa fliste për “SportMediaset”.

“Kalabria ka gabuar. Askush në Milanelo nuk punon me pak vëmendje dhe përkushtim, por pas ndeshjes ndodh që të thuhen gjëra të tilla”, tha Pioli, duke bërë të qartë se nuk kishte pëlqyer këtë dalje publike të futbollistit të tij.